Studentë të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, anëtarë të klubit “Elita Studentore” në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë organizuan një praktikë mësimore në ambientet e gjykatës.

Studentë të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, anëtarë të klubit “Elita Studentore” në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë organizuan një praktikë mësimore në ambientet e gjykatës, dhe ndoqën një “Orë të Hapur” diskutimi me gjyqtarin i cili ushtron detyrën e ndihmës magjistratit në këtë gjykatë Z. Elton Frashëri dhe juristin e Qendrës së Dokumentacionit Z. Oltion Musaj. 

Diskutimi u fokusua në tema me interes për  historinë e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në Shqipëri, ndarjen e pushteteve, ndryshimet ligjore dhe veçanërisht në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë. Pjesa më interesante, e cila mori vëmendjen dhe përkushtimin maksimal të studentëve, ishte dhe improvizimi i një seance gjyqësore mbi një rast gjyqësor penal, ku studentët u ndanë në rolin e gjyqtarit, prokurorit, avokatit dhe palës së mbrojtur.

Gjykata e Lartë mendon dhe i kushton rëndësi faktit se, përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor, është një mekanizëm i cili synon të afrojë më shumë çdo të interesuar për t'u njohur me këtë institucion, historinë dhe rëndësinë që mbart.

Kushdo që ka interes për të vizituar Gjykatën e Lartë, (qytetarë, studentë, nxënës shkollash) duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të kësaj gjykate www.gjykataelarte.gov.al/sq/akreditimi  ku do të vendosë emrin dhe mbiemrin, adresën e emailit, si edhe një tekst të shkurtër mbi arsyen apo qëllimin e vizitës. Më pas stafi organizator, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, Median dhe me Jashtë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin e vizitës.